📍 Aksion pastrimi përgjatë rrjedhës së Lumit Devoll
Pas reshjeve të dendura të muajve Nëntor 2025 dhe Janar 2026, janë shfaqur problematika ndotjeje në të dy krahët e Lumit Devoll.
Punonjësit e Bashkisë kanë nisur menjëherë ndërhyrjen dhe puna do të vijojë në disa faza, deri në normalizimin e plotë të situatës.

📍 Podgorie, Nj.Ad. Vreshtas & Zvezdë, Nj.Ad. Pojan
Bashkia Maliq po vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në disa zona të territorit.
Në Podgorie po realizohet zgjerimi dhe sistemimi i rrugës së lagjes së sipërme. Në mirëkuptim të plotë me banorët, po kryhet prishja e ndërtimeve pa leje, me qëllim hapjen e segmentit rrugor dhe garantimin e aksesit të mjeteve zjarrfikëse dhe të emergjencës. Ndërhyrja synon funksionalitet të plotë, qarkullim normal dhe siguri për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Ndërkohë, në Zvezdë të Nj.Ad. Pojan, po punohet për sistemimin e rrugës në qendër të fshatit. Paralelisht me finalizimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit, Bashkia po ndërmerr rehabilitimin e një prej rrugëve kryesore, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e qarkullimit dhe jetesës për banorët. Në të njëjtën kohë, OSHEE po punon për ndërtimin e një rrjeti të ri elektrik me kabëll ABC në këtë zonë.
Këshilli i Ministrave ka shpallur sot 10 Zona Zhvillimore për Bashkinë Maliq, në kuadër të “Paketës së Maleve”, duke i dhënë territorit tonë një përparësi të rëndësishme zhvillimi.
Këto zona krijojnë kushte të favorshme për investime të reja dhe mbështetje konkrete për projekte në sektorët ekonomik, industrial dhe turistik, duke nxitur punësimin, sipërmarrjen lokale dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Shpallja e Zonave Zhvillimore përbën një hap strategjik për rritjen e mirëqenies së komuniteteve të Bashkisë Maliq dhe një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë.