Pylli i Fazanëve në Maliq, është një tjetër destinacion ku vizitorët mund të shijojnë natyrën dhe të shohin shpendë të ndryshëm. Pozita gjeografike dhe klima e favorshme bën që kjo zonë të jetë e përqendruar kryesisht tek bujqësia dhe blegtoria. Rreth 1 kilometër nga qendra e qytezës mu në “zemër” të ish- kënetës, mes fshatrave, Libonik, Orman dhe Drithas i Poshtëm ndodhet Pylli i Fazanëve. Dikur një zonë mjaft e vizituar nga banorët vendas dhe jo vetëm, por që sot për fat të keq është lënë në mëshirë të fatit dhe për më tepër dora e njeriut ka shkaktuar dëme të mëdha.
Konsiderohet si pyll i përzierë gjysmë natyror, i përbërë prej plepit, shelgut, blirit, pishës dhe bredhit. Është një mbetje e pyllit të dikurshëm që mbulonte pjesën veriore të moçalizuar dhe kënetëzuar të fushëgropës së Korçës. Drurët e këtij pylli janë mbi 60-vjeçarë. Lartësia maksimale e drurëve arrin në 22.7 m, diametri maksimal 80 cm. Sipas specialistëve ky pyll ka vlera shkencore, edukative, biologjike, estetike, didaktike dhe turistike. Për të shkuar në destinacion duhet të ndjekësh rrugën nga Liboniku në Drithas dhe që këtej tek pylli i Maliqit.
Ky pyll ka dhe një pamje mjaft piktoreske pasi në pjesën perëndimore të tij përshkohet nga lumi i Dunavecit, ndërsa gjatë pjesës veriore derdhet lumi i Devollit. Kjo hapësirë e pyllëzuar prej vitesh ndodhet nën administrimin e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura pranë Ministrisë së Mjedisit. Nga një investigim i terrenit dhe nga rrëfimi i banorëve mësohet se që prej rënies së regjimit komunist në këtë pyll që dikur ka qenë zonë mjaft e vizituar, ka ndodhur një prerje pa kriter e pyjeve.
Bashkia Maliq ka gjithashtu edhe atraksione te tjera turistike, te cilat ju mund t’i njohni duke shkarkuar materialin e pergatitur nga Sektori i Sekreacionit dhe Turizmit ne Bashkine Maliq