Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Maliqi kufizohet në veri me bashkinë Pogradec, në veri-lindje me bashkinë Pustec, në lindje me bashkinë Devoll, në jug me bashkinë Korçë dhe në lindje me bashkitë Skrapar dhe Gramsh. Kryeqendra e bashkisë është qyteti i Maliqit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, bashkia e re numëron 41,757 banorë, ndërsa sipas Regjistrit Civil kjo bashki numëron një popullsi prej 64,664 persona. Bashkia e re ka një sipërfaqe prej 656.34 km2. Densiteti i popullsisë sipas censusit është 64 banorë/ km2 ndërsa sipas regjistrit civil është 99 banorë/ km2.
Kjo bashki përbëhet nga 7 njësi administrative, të cilat janë: Maliq, Libonik, Gorë, Moglicë, Vreshtas, Pirg dhe Pojan. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Korçës dhe qarkut Korçë. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 80 fshatra. Për të parë listën e plotë të qyteteve dhe fshatrave të kësaj bashkie, klikoni këtu
Profili i bashkisë
Bashkia e Maliqit shtrihet në një nga zonat më pjellore bujqësore të Shqipërisë, më së shumti në një ish-kënetë të tharë me shumë mund dhe sakrifica njerëzore në vitet 1950. Qyteti i Maliqit u krijua si një qendër e rëndësishme e industrisë ushqimore në rang vendi me disa produkte të rëndësishme si sheqeri, melasa apo niseshteja si dhe e industrisë së përpunimit të drurit, por falimentimi i kësaj industrie solli papunësi të lartë në qytet dhe largimin e një pjese të konsiderueshme të banorëve.
Ndërtimi i rrugës së re kombëtare drejt Korçës anashkaloi qytetin ndërsa dy komuna përbërëse të bashkisë së re rezultojnë se kanë numër më të madh biznesesh për frymë se sa vetë Maliqi.
Për shkak të mungesës së mirëmbajtjes së infrastrukturës së kullimit të krijuar bashkë me tharjen e kënetës, kjo zonë është vazhdimisht e rrezikuar nga përmbytjet.
Në zonat malore banorët i kanë dhënë prioritet blegtorisë dhe bletarisë ndërsa problematike mbetet prerja masive e pyjeve.
Niveli ekonomik i familjeve është ulur edhe si pasojë e kthimit të emigrantëve prej krizës greke. Problematikë e pazgjidhur mbetet mungesa e tregut për prodhimet bujqësore ndërsa fermerët janë kryesisht të pa orientuar drejt kulturave që duhet të kultivojnë në përputhje me kërkesat e tregut.
Fshatrat e fushës së Korçës kanë pasur zhvendosje të popullsisë, ndërkohë që në zonat malore fenomeni i braktisjes është tejet i përhapur. Të rinjtë zgjedhin të studiojnë në kryeqytet dhe pas përfundimit të studimeve nuk kthehen më, çka ka sjellë për pasojë plakjen e fshatrave në zonat malore.
Në aspektin kulturor e gjithë zona është e varfër, mungojnë ambientet por edhe aktivitetet të cilat do të mund të nxisnin edhe me tepër zhvillimin e kulturës. Për pjesën më të madhe të zonës infrastruktura është ndërtuar ndërsa projekti më i rëndësishëm është ai i aksit nacional që lidh Gramshin me Maliqin, punimet e të cilit po ecin me ritme të ngadalta.
Megjithatë, shpresat janë që industria agroushqimore do të mund të rikthehet në zonë për shkak të mundësisë për të shfrytëzuar tokën pjellore të ish-kënetës duke rigjallëruar bashkinë e re. Largimi i një pjese të popullsisë në emigrim apo në migrim ka krijuar toka bujqësore të lira të cilat në raste të kufizuara aktualisht janë marrë me qira nga familje fermere për të krijuar biznese të fuqishme bujqësore në ekonomi shkalle.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Sfidat me të cilat u përball pushteti vendor pas ndarjes së re kishin te benin kryesisht me zgjidhjen e problematikës së punësimit dhe sigurimit të tregut për prodhimet bujqësore, hartimin e politikave orientuese për fermerët, por edhe përmirësimi i infrastrukturës për të shmangur përmbytjet e tokave të kultivuara.
Çështja e shkollave të bashkuara, klasave kolektive, ose largësia e tyre nga vendbanimet e shumë nxënësve u identifikua si një tjetër sfidë që kërkon zgjidhje nga pushteti i ri vendor. Për shumë fshatra mungesa e investimeve në kopshte dhe shkolla është një problem, pasi ambientet janë të amortizuara, duke i detyruar deri më tani njësitë vendore të gjejnë zgjidhje alternative, si kthimin e shtëpive në shkolla ose dërgimin e nxënësve nga një fshat në tjetrin. Në zonat e thella malore e njëjta situatë është edhe me qendrat shëndetësore, të cilat janë të amortizuara dhe nuk kanë personel të mjaftueshëm.
Thuajse gjysma e kësaj bashkie të re në dimër vuan izolimin nga bora, ndaj bashkisë do i duhet të krijojë një sektor të veçantë që të përballojë këtë situatë dhe të sigurojë komunikimin sa më të mirë mes të gjitha njësive administrative përbërëse.
Për vite të tëra në këtë zonë kanë munguar projektet apo investimet e rëndësishme, ndërsa mbetet domosdoshmëri edhe rivitalizimi i jetës sociale, artistiko-kulturore dhe sportive, por edhe promovimi i vlerave historike. Në zonën e Sovjanit gërmimet arkeologjike kanë zbuluar shumë elementë me vlerë por ato nuk ekspozohen atje edhe pse kjo do të ishte me interes për turistët.