Javën e kaluar, me asistencën teknike të Projektit Bashki të Forta dhe me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, një grup i përbërë nga këshilltarë, kryetarë dhe sekretarë këshillash të forcave të ndryshme politike, bënë një vizitë studimore në Lozanë të Zvicrës. Grupi përbëhej nga 20 përfaqësues të 16 këshillave të ndryshëm bashkiakë.
Gjatë qëndrimit të tyre disaditor ata u njohën nga afër me mënyrën e funksionimit të këshillave bashkiakë, me procedurat, komisionet, marrëdhëniet me publikun dhe zgjedhësit, roli i këshillit te shërbimet vendore, marrëdhënie me kryetarin e bashkisë dhe qeverinë qendrore, etj.
Pjesë e grupit në këtë udhëtim studimor ishte edhe një përfaqësues nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit duke dëshmuar qasjen e projektit dhe partnerëve tanë për një vëmendje të shtuar të projektit dhe të partnerëve tanë institucionalë për transparencën dhe llogaridhënien në nivel vendor.
Në përfundim të kësaj vizite, bazuar në përvojën e re të fituar këshilltarët nga Shqipëria hartuan një plan pune për aspekte të ndryshme të punës së këshillave bashkiakë, si raportet e komisioneve, raportet e performancës dhe analizë për punën e bashkisë, procedurat e konsultimit publik, informimi qytetar, honorarët e këshilltarëve për motivimin e tyre, etj. Ky plan pune përbën edhe bazën e asistencës së projektit për vitin e ardhshëm për këshillat bashkiakë.
Bashki të Forta është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC (Swiss Development & Cooperation) dhe i Qeverisë së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana), i zbatuar nga Helvetas. Projekti ka si synim kryesor që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga përmirësimi i qeverisjes dhe i shërbimeve në nivel vendor sipas standardeve minimale dhe të përballueshme të miratuara për një sistem të qëndrueshëm në vend.