![Pink Sugar](https://static.wixstatic.com/media/4790bd8de3ad454caef0e19b3864d94f.jpg/v1/fill/w_147,h_110,al_c,q_80,usm_0.66_1.00_0.01,blur_2,enc_auto/4790bd8de3ad454caef0e19b3864d94f.jpg)
![82979037_2467279520197690_15553260271802](https://static.wixstatic.com/media/85c2ea_8cc4472ae06e4d958bcd51af0c51f3fa~mv2.jpg/v1/fill/w_600,h_362,al_c,q_80,usm_0.66_1.00_0.01,enc_auto/82979037_2467279520197690_15553260271802.jpg)
Thesari i Hijes së Korbit
Në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e Korbit”, u gjet një thesar monedhash antike. Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll. Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, Hija e Korbit mendohet të ruajë rrënojat e një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, identifikimi i të cilit nuk është përcaktuar përfundimisht.
Thesari përbëhet nga 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës, dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide. Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, të prera pas mbretërimit të tyre, të Lysimahut të Thrakisë, të Eumenit I, mbretit të Pergamit, të mbretërve Seleukidë, dhe mbretit të Maqedonisë, Antigon Gonatës.